Parandalimi​

Shiko artikujt ->

Diagnostikimi

Shiko artikujt ->

Trajtimi

Shiko artikujt ->

Të jetuarit me kancer

Shiko artikujt ->

Për kujdestarët

Shiko artikujt ->

NGA BIOPSIA TE PERSONALIZIMI I TRAJTIMIT: PSE ÇDO DETAJ MIKROSKOPIK KA RËNDËSI

* Ky material ka qëllim të ofrojë informacion dhe edukim për pacientët. Opinione dhe shpjegime reflektojnë perspektivën e specialistit që e ka përgatitur. Ky material nuk zëvendëson këshillën mjekësore individuale. Pacientët duhet të flasin gjithmonë me mjekun ose profesionistin e tyre shëndetësor për vendimet mbi diagnostikimin dhe trajtimin.

Kanceri i gjirit është një nga sëmundjet malinje më të shpeshta tek gratë në të gjithë botën, duke zënë vendin e dytë për nga shpeshtësia në nivel global, me një incidencë rreth 11.6%. Ai përbën një sfidë serioze për shëndetin publik, pasi, pavarësisht përparimeve në trajtimin e përgjithshëm të sëmundjeve onkologjike, vazhdon të ketë një ndikim të rëndësishëm mbi jetën dhe mirëqenien e pacienteve. Përparimet në diagnostikimin e hershëm kanë ndryshuar rrënjësisht perspektivën për këtë sëmundje, duke mundësuar identifikimin e tumorëve në faza kur trajtimi është më efektiv dhe kur shanset për mbijetesë janë më të larta. Për më tepër, zhvillimi i trajtimeve të personalizuara, të bazuara në karakteristikat molekulare dhe histologjike të tumorit, ka kontribuar ndjeshëm në rritjen e cilësisë së jetës së pacienteve, duke reduktuar efektet anësore të trajtimeve standarde dhe duke optimizuar rezultatet terapeutike. Në këtë kontekst, biopsia merr një rol thelbësor, pasi ajo nuk është thjesht një procedurë për konfirmimin e diagnozës, por një mjet kyç që ofron informacion të detajuar mbi natyrën e tumorit, duke mundësuar vendimmarrje të informuar dhe trajtim të saktë, të përshtatur për çdo pacient në veçanti. Përmes analizave mikroskopike dhe testeve molekulare, biopsia ndihmon mjekët të kuptojnë agresivitetin e tumorit, profilin hormonal dhe receptorët specifikë që mund të ndikojnë në zgjedhjen e terapi të veçanta, duke bërë kështu një hap thelbësor drejt personalizimit të trajtimit dhe përmirësimit të rezultateve klinike.

Çfarë është biopsia e gjirit dhe si kryhet

Biopsia e gjirit është një procedurë diagnostike thelbësore që synon të marrë një mostër të vogël indi nga gjiri për ta analizuar në detaje nën mikroskop. Qëllimi i saj kryesor është të përcaktojë nëse një masë e dyshimtë është beninje, domethënë jo kancerogjene, apo malinje, domethënë kancerogjene. Në rastin e kancerit të gjirit, zonat nga të cilat merren mostrat identifikohen fillimisht përmes ekzaminimeve imazherike të avancuara, si mamografia, ekografia ose rezonanca magnetike, të cilat ndihmojnë mjekun të lokalizojë saktësisht vendndodhjen e ndryshimeve të dyshimta.

Ekzistojnë disa metoda të ndryshme të biopsisë, secila me përdorimin dhe karakteristikat e veta:

  • Biopsia me gjilpërë të hollë (Fine Needle Aspiration – FNA) përdoret kryesisht për masa cistike ose të buta. Përmes një gjilpere shumë të hollë merren qeliza të lëngshme ose të buta, të cilat më pas analizohen për të përcaktuar natyrën e tyre. Ky është një metodë e thjeshtë, e shpejtë dhe zakonisht me dhimbje minimale për pacientin.
  • Biopsia me gjilpërë të trashë (Core Needle Biopsy) është metoda më e përdorur për patologjitë tumorale. Në këtë teknikë përdoret një gjilpërë më e trashë që lejon marrjen e një pjesë të indeve të gjirit në formë fibrash nga zona e dyshimtë. Kjo metodë siguron një sasi më të madhe të indeve, duke mundësuar analizë më të detajuar mikroskopike dhe imunohistokimike, dhe është baza për përcaktimin e nën-tipit histologjik, receptorëve hormonalë dhe HER2.
  • Biopsia kirurgjikale kryhet zakonisht pasi ekziston një diagnozë fillestare me biopsi gjilpëre. Ajo mund të përfshijë heqjen e pjesës së gjirit ku ndodhet tumori (si në kirurgjinë konservative) ose heqjen e gjirit të tërë (mastektomia). Kjo procedurë lejon jo vetëm konfirmimin e diagnozës, por edhe kryerjen e stadifikimit histologjik, i cili është vendimtar për planifikimin e trajtimit të mëtejshëm.
  • Biopsia ex tempora (biopsia e shpejtë) kryhet gjatë qëndrimit në sallën operative. Ajo mundëson vendosjen e diagnozës brenda 20-30 minutave, duke dhënë informacion të menjëhershëm kirurgut për planifikimin e ndërhyrjes dhe përzgjedhjen e strategjisë optimale për heqjen e tumorit.

Pas marrjes së mostrës, indet dërgohen në laboratorin e patologjisë, ku trajtohen teknikisht dhe ngjyrosen për t’u shqyrtuar nën mikroskop. Mjeku anatomopatolog analizon me kujdes çdo detaj të qelizave, duke vlerësuar strukturën, përbërjen dhe ndryshimet e mundshme. Informacioni i nxjerrë nga kjo analizë regjistrohet në raportin histopatologjik, i cili përbën dokumentin kryesor për diagnostikimin dhe vendimmarrjen për trajtimin e pacientit. Ky raport jo vetëm që konfirmon praninë e kancerit, por gjithashtu ofron të dhëna të hollësishme që do të udhëzojnë mjekun në zgjedhjen e terapive më të përshtatshme për secilin pacient.

Raporti histopatologjik dhe termat kryesorë:

Raporti histopatologjik përbën dokumentin më të rëndësishëm në diagnostikimin e kancerit të gjirit. Ai përftohet nga analizimi i hollësishëm mikroskopik i mostrës së indit nga mjeku anatomopatolog dhe përmban informacion të detajuar mbi natyrën dhe llojin e tumorit. Përveç konfirmimit të diagnozës, raporti përmban parametra të tjerë të rëndësishëm që ndihmojnë në përcaktimin e profilit hormonal dhe sjelljes biologjike të tumorit, të cilat janë thelbësore për personalizimin e trajtimit dhe zgjedhjen e strategjisë më të përshtatshme terapeutike për çdo pacient

Elementet përberës të një raporti biopsie në rastin e kancerit të gjirit janë:

  • Nën-tipi histologjik i kancerit të gjirit: Përcakton “emrin” e saktë të kancerit dhe përbën një nga elementët kryesorë të raportit. Dy nën-tipet më të shpeshta janë karcinoma duktale invazive dhe karcinoma lobulare invazive, ndërsa ekzistojnë edhe forma më të rralla, si karcinoma tubulare, mucinoze dhe të tjera. Ky informacion është i rëndësishëm për mjekun, pasi çdo nën-tip ka karakteristika të veçanta biologjike dhe reagime të ndryshme ndaj trajtimeve.
  • Grada e tumorit: Grada e tumorit përshkruan sa të ngjashme janë qelizat tumorale me qelizat normale të indit prej nga origjinon tumori. Sa më pak të ngjashme të jenë qelizat tumorale me ato normale, aq më e lartë është grada dhe aq më agresiv është tumori.
    • Grada 1: Tumor i mirë-diferencuar, me rritje të ngadaltë.
    • Grada 2: Tumor mesatarisht i diferencuar.
    • Grada 3: Tumor pak të diferencuar, me rritje të shpejtë dhe agresive.

Ky informacion ndihmon mjekun të vendosë intensitetin dhe llojin e trajtimit që do të jetë më efektiv për pacientin.

  • Receptorët hormonale ER dhe PR: Receptorët estrogjen (ER) dhe progesteron (PR) janë proteina në qelizat tumorale të gjirit që kontrollojnë rritjen e tyre. Tumoret ER/PR pozitiv reagojnë ndaj hormonoterapisë, e cila bllokon efektin e hormoneve dhe ngadalëson rritjen e tumorit, ndërsa tumoret negative nuk përfitojnë nga kjo terapi dhe kërkojnë trajtime të tjera, si kimioterapia, terapitë targetuese ose imunoterapia.

Statusi ER/PR ndihmon gjithashtu në parashikimin e agresivitetit: tumoret pozitiv zakonisht rriten më ngadalë dhe kanë prognozë më të mirë, ndërsa mungesa e receptorëve lidhet me forma më agresive.Ky informacion është thelbësor për mjekun që të përcaktojë strategjinë më të përshtatshme të trajtimit, duke siguruar një qasje të personalizuar dhe efektive për çdo pacient. Për pacientin, njohja e statusit të receptorëve ER/PR ndihmon në kuptimin e logjikës pas zgjedhjes së terapive dhe rolin e hormoneve në rritjen e tumorit, duke e bërë pjesëmarrjen aktive në vendimet për trajtim më të lehtë dhe më të informuar.

Vlerësimi i receptorëve ER dhe PR kryhet përmes imunohistokimisë (IHC), një teknikë laboratorike që përdor antikorpe specifike për të ngjyrosur qelizat që shprehin receptorët. Kur qelizat tumorale ngjyrosen, kjo tregon se ato kanë receptorë aktivë për hormonin përkatës. Rezultati i analizës raportohet në përqindje (0–100%), duke treguar sasinë e qelizave pozitive në mostrën e tumorit.

  • Një nivel i ulët shprehjeje (p.sh., <1%) tregon se shumica e qelizave nuk kanë receptorë aktivë dhe mundësia e përgjigjes ndaj hormonoterapisë është minimale.
  • Një nivel mesatar (p.sh., 1–50%) tregon se disa qeliza janë të ndikuara nga hormonet dhe pacienti mund të përfitojë nga hormonoterapia, por efektiviteti mund të jetë i kufizuar.
  • Një nivel i lartë shprehjeje (>50%) sugjeron që shumica e qelizave tumorale janë hormon-sensitive, duke rritur ndjeshëm shanset e suksesit të hormonoterapisë.
  • HER2: HER2 (Human Epidermal Growth Factor Receptor 2) është një proteinë e vendosur në membranën e qelizave që luan një rol kyç në rritjen dhe ndarjen e tyre. Kur HER2 është i mbishprehur (HER2 pozitiv), tumori ka tendencë të rritet shpejt dhe të ketë një sjellje më agresive. Megjithatë, tumoret HER2 pozitiv përgjigjen shumë mirë ndaj terapive targetuese anti-HER2, të cilat pengojnë aktivitetin e kësaj proteine dhe ngadalësojnë progresionin e sëmundjes. Rreth 20% e kancereve të gjirit shfaqin këtë karakteristikë.

Interpretimi i HER2 bëhet përmes analizave imunohistokimike (IHC), të cilat tregojnë nëse qelizat tumorale shprehin proteinën HER2 në nivele të ndryshme. Rezultatet e këtyre analizave ndahen në disa kategori që përcaktojnë mundësinë e trajtimit me terapi targetuese anti-HER2. Vlerat 0 dhe 1+ konsiderohen negative, që do të thotë se qelizat tumorale nuk shprehin sasi të konsiderueshme të HER2 dhe pacienti nuk përfiton nga barnat anti-HER2. Vlera 2+ konsiderohet equivokale, duke treguar se shprehja e HER2 nuk është e qartë dhe kërkon testim të mëtejshëm molekular, si FISH ose SISH, për të përcaktuar nëse HER2 është amplifikuar dhe nëse trajtimi targetues mund të jetë efektiv. Vlera 3+ tregon një shprehje të lartë të HER2, dhe në këtë rast pacienti mund të trajtohet me medikamente specifike anti-HER2.

Tumoret HER2 pozitive karakterizohen nga një shumim i shpejtë i qelizave (proliferim i lartë), grade histologjike të lartë, dhe shpesh shfaqin nivele të ulëta të receptorëve hormonalë ER dhe PR. Ata kanë gjithashtu një probabilitet më të lartë për të dhënë metastaza dhe reagojnë mirë ndaj kimioterapisë dhe trajtimeve targetuese specifike. Kjo vlerësim i HER2 është thelbësor, sepse ndihmon mjekun të përcaktojë strategjinë terapeutike më të përshtatshme dhe të personalizuar për çdo pacient, duke maksimizuar efektivitetin e trajtimit dhe duke reduktuar ekspozimin ndaj barnave që nuk do të jenë efektive.

  • Ki-67: Ki-67 është një tregues i aktivitetit proliferativ të qelizave tumorale, që në terma të thjeshtë tregon shpejtësinë me të cilën qelizat e tumorit po shumohen. Ky markues është shumë i rëndësishëm në diagnostikimin dhe vlerësimin e kancerit të gjirit, pasi niveli i tij ndihmon mjekun të kuptojë agresivitetin e tumorit dhe të zgjedhë strategjinë terapeutike më të përshtatshme. Kur niveli i Ki-67 është i ulët, nën 10%, kjo tregon se tumori po rritet ngadalë dhe ka një karakter më pak agresiv, duke sugjeruar se trajtimi mund të jetë më konservativ. Vlerat që shkojnë nga 10 deri në 20% tregojnë një indeks mesatar të shumimit të qelizave, ndërsa vlerat mbi 20% tregojnë një proliferim të shpejtë, që shpesh lidhet me nevojën për trajtime më intensive, si kimioterapia. Kur niveli i Ki-67 kalon 30%, kjo konsiderohet një tregues i tumorëve me shkallë të lartë agresiviteti, që zakonisht kërkojnë trajtime më intensive dhe strategji të personalizuara për të kontrolluar përhapjen e sëmundjes.

Ky informacion, në kombinim me statusin hormonal dhe shprehjen e HER2, ndihmon mjekun të përcaktojë trajtimin më efektiv dhe të sigurt për pacientin, duke e bërë planin terapeutik të personalizuar dhe duke maksimizuar efektivitetin e tij. Ndërkohë, njohja e këtij treguesi mund të ndihmojë pacientin të kuptojë më mirë natyrën e tumorit dhe rëndësinë e zgjedhjeve të trajtimit.

Në përmbledhje, pavarësisht nën-tipave histologjikë, kanceri i gjirit klasifikohet kryesisht sipas statusit hormonal dhe shprehjes së HER2 në katër kategori kryesore, të cilat ndihmojnë në përcaktimin e trajtimit më të përshtatshëm për secilin pacient:

  • ER/PR pozitiv, HER2 pozitiv (triple pozitiv), ku tumori ndikohet nga hormonet dhe gjithashtu mund të trajtohet me terapi targetuese anti-HER2.
  • ER/PR pozitiv, HER2 negativ, ku tumori është i ndikuar nga hormonet, por nuk përfiton nga terapitë anti-HER2, duke bërë që fokus të jetë mbi hormonoterapinë.
  • ER/PR negative, HER2 pozitiv, ku tumori nuk ndikohet nga hormonet, por mund të trajtohet me terapi targetuese anti-HER2.
  • ER/PR negative, HER2 negativ (triple negativ), që është forma më agresive e kancerit të gjirit dhe zakonisht kërkon trajtime më intensive, përfshirë kimioterapi, për shkak të rritjes së shpejtë dhe mungesës së receptorëve për terapi hormonale ose targetuese.

Ky kategorizim është themelor për vendimmarrjen terapeutike dhe siguron që çdo pacient të marrë një trajtim të personalizuar, të sigurt dhe të efektshëm.

Biopsia operatore

Një procedurë kirurgjikale ku hiqet masa tumorale nga gjiri. Qëllimi kryesor i kësaj ndërhyrjeje është heqja e plotë të tumorit dhe marrja e mostër për analizë histopatologjike të detajuar, duke ndihmuar në vendosjen e trajtimit të mëtejshëm. Dikur, trajtimi standard për kancerin e gjirit përfshinte mastektominë e plotë, pra heqjen e të gjithë gjirit së bashku me gjendrat limfatike të sqetullës, për të parandaluar përhapjen e tumorit. Sot, me përparimin e njohurive dhe protokolleve moderne, kryhen ndërhyrje më konservative dhe të personalizuara, të tilla si kuadrantektomia, ku hiqet vetëm pjesa e gjirit që përmban tumorin, dhe biopsia e limfonodulit sentinel, ku identifikohet dhe shqyrtohet gjendra e parë limfatike e sqetullës që mund të jetë prekur nga metastaza e tumorit.

Përveç elementeve standarde të raportit histopatologjik, në biopsinë operatore raporti përmban edhe stadifikimin histologjik të tumorit, i cili vlerësohet në bazë të përmasave të masës tumorale dhe numrit të limfonodujve të prekura. Ky informacion është kritik për vendimmarrjen terapeutike, pasi ndihmon në përcaktimin e nevojës për trajtime shtesë, si kimioterapia apo terapia targetuese.

Kur hiqet vetëm një pjesë e gjirit dhe jo e gjithë gjiri, një tjetër parametër i rëndësishëm që duhet të përfshihet në raportin histopatologjik është vlerësimi i kufijve kirurgjikale. Kufijtë kirurgjikale tregojnë distancën nga tumori deri tek periferia e indeve të hequra nga kirurgu. Nëse tumori ndodhet larg kufijve, atëherë kufijtë konsiderohen “të pastër” dhe nuk ka nevojë për ndërhyrje shtesë. Në rast se tumori gjendet shumë afër kufijve ose në kontakt me to, atëherë është e nevojshme që kirurgu të zgjerojë heqjen e indeve për të siguruar që masa tumorale është hequr plotësisht dhe që kufijtë të jenë të lirë nga qelizat tumorale. Ky parametër është thelbësor për të parandaluar recidivat lokalë dhe për të garantuar një trajtim kirurgjik të suksesshëm dhe të sigurt.

Në përmbledhje, biopsia operatore nuk shërben vetëm për heqjen fizike të tumorit, por gjithashtu siguron të dhëna të hollësishme për karakteristikat e tumorit, stadifikimin histologjik dhe sigurinë e kufijve kirurgjikale, të cilat janë thelbësore për planifikimin e trajtimit të mëtejshëm dhe për parandalimin e rikthimit të sëmundjes.

Si përcaktohet trajtimi nga raporti histopatologjik

Trajtimi i kancerit të gjirit është një proces i personalizuar, ku çdo vendim terapeutik bazohet kryesisht në të dhënat e raportit histopatologjik, i cili ofron informacion të detajuar mbi tipin e tumorit, statusin hormonal, shprehjen e HER2, nivelin e proliferimit Ki-67 dhe karakteristikat tjera molekulare të qelizave tumorale. Ky dokument është udhërrëfyesi kryesor për mjekun onkolog në përcaktimin e strategjisë më të përshtatshme për pacientin.

Kimioterapia rekomandohet zakonisht për tumore agresive, që kanë grade të lartë histologjike, nivel të lartë Ki-67 ose për tumore që i përkasin kategorisë triple negative. Në këto raste, tumori ka një ritëm të shpejtë rritjeje dhe rrezikon të përhapet më shpejt, ndaj kimioterapia ka rol të rëndësishëm në ndalimin e shumimit të qelizave tumorale dhe parandalimin e metastazave.

Hormonoterapia përdoret për tumore që shprehin receptorë hormonalë ER dhe PR. Ky lloj trajtimi synon të bllokojë veprimin e hormoneve estrogjen dhe progesteron në qelizat tumorale, duke ngadalësuar ose ndaluar rritjen e tumorit. Intensiteti i përgjigjes ndaj hormonoterapisë varet drejtpërdrejt nga përqindja e shprehjes së receptorëve të identifikuar në raportin histopatologjik.

Terapitë targetuese dhe imunoterapia përdoren për tumore që shprehin HER2 pozitiv ose për forma të veçanta të kancerit të gjirit që kanë profile molekulare specifike. Për shembull, tumoret HER2 pozitive janë më agresive, por reagojnë shumë mirë ndaj barnave të targetuara anti-HER2, duke lejuar një trajtim më efikas dhe me më pak efekte anësore sistemike.

Përmes kësaj qasjeje të personalizuar, trajtimi i kancerit të gjirit mund të përshtatet në mënyrë optimale për karakteristikat unike të tumorit të çdo paciente. Kjo jo vetëm që rrit efektivitetin e terapisë, por gjithashtu minimizon ekspozimin e pacientit ndaj trajtimeve të panevojshme dhe efektet anësore të tyre, duke garantuar një kujdes më të sigurt dhe të shëndetshëm.

Pse çdo pacient duhet të ketë kopjen e raportit histopatologjik

Raporti histopatologjik është një dokument personal dhe i pazëvendësueshëm për çdo pacient me kancer të gjirit. Ai përmban informacion të detajuar mbi tipin e tumorit, karakteristikat molekulare, statusin hormonal, HER2, nivelin e Ki-67 dhe elemente të tjera që përcaktojnë trajtimin optimal. Mbajtja e një kopjeje personale i mundëson pacientit të përfitojë në disa mënyra të rëndësishme.

Së pari, pacienti ka mundësinë të kërkojë opinion të dytë mjekësor në qendra të tjera ose nga specialistë të ndryshëm. Kjo është veçanërisht e rëndësishme kur bëhet fjalë për forma të rralla ose komplekse të kancerit, ose kur mjekimi ka nevojë për një qasje shumë të personalizuar.

Së dyti, kopja e raportit lejon pacientin të kuptojë më mirë diagnozën dhe trajtimin e tij, duke u njohur me informacionin thelbësor mbi llojin e tumorit, gradën, receptorët hormonalë, HER2 dhe nivelin e proliferimit Ki-67. Njohja e këtyre elementeve e bën pacientin pjesë aktive të vendimeve për trajtimin dhe rrit besimin ndaj ekipit mjekësor.

Së treti, mbajtja e raportit siguron vazhdimësinë e trajtimit në institucione të ndryshme. Në rast se pacienti ndryshon spital ose specialist, raporti histopatologjik lejon mjekët të kenë informacionin e plotë dhe të mos duhet të përsërisin procedura të panevojshme diagnostike.

Së katërti, kopja e raportit siguron dokumentacion të plotë për ndjekje afatgjatë, duke e bërë të mundur monitorimin e progresionit të sëmundjes, përsëritjen e testeve në rast rikthimi ose për të marrë vendime të bazuara në evidencë gjatë trajtimeve të ardhshme.

Informimi dhe përfshirja aktive e pacientit në menaxhimin e sëmundjes përmes mbajtjes së raportit histopatologjik rrit bashkëpunimin me ekipin mjekësor, forcon besimin, dhe ka një ndikim pozitiv të drejtpërdrejtë në rezultatet terapeutike dhe cilësinë e jetës së pacientit.

Referenca:

  1. National Cancer Institute (NCI). Breast Biopsy. 2023.
  2. American Cancer Society. Breast Biopsy: How It’s Done and What to Expect. 2023.
  3. Rosen PP. Rosen’s Breast Pathology. 4th Edition. Wolters Kluwer, 2014.
  4. Lakhani SR, Ellis IO, Schnitt SJ, Tan PH, van de Vijver MJ. WHO Classification of Tumours of the Breast. 5th Edition. IARC, 2019.
  5. Hammond MEH, Hayes DF, Dowsett M, et al. American Society of Clinical Oncology/College of American Pathologists guideline recommendations for immunohistochemical testing of estrogen and progesterone receptors in breast cancer. J Clin Oncol. 2010;28(16):2784–2795.
  6. Wolff AC, Hammond MEH, Allison KH, et al. Human Epidermal Growth Factor Receptor 2 Testing in Breast Cancer: American Society of Clinical Oncology/College of American Pathologists Clinical Practice Guideline Focused Update. J Clin Oncol. 2018; 36:2105–2122.
  7. Rakha EA, Ellis IO. Histopathological prognostic factors in breast cancer. In: Breast Cancer: A Comprehensive Guide to Detection and Management. 2013; pp. 101–123.
  8. Dowsett M, Nielsen TO, A’Hern R, et al. Assessment of Ki67 in Breast Cancer: Recommendations from the International Ki67 in Breast Cancer Working Group. J Natl Cancer Inst. 2011; 103:1656–1664.
  9. Elston CW, Ellis IO. Pathological prognostic factors in breast cancer. I. The value of histological grade in breast cancer: experience from a large study with long-term follow-up. Histopathology. 1991;19(5):403–410.
  10. Edge SB, Compton CC. The American Joint Committee on Cancer: The 7th Edition of the AJCC Cancer Staging Manual and the Future of TNM. Ann Surg Oncol. 2010; 17:1471–1474.
  11. Rakha EA, Reis-Filho JS, Baehner F, et al. Breast cancer prognostic classification in the molecular era: the role of immunohistochemistry. J Clin Pathol. 2010; 63:217–227.
  12. Bartlett JM, Munro AF, Dunn JA, et al. Ki67 in breast cancer: prognostic and predictive potential. Lancet Oncol. 2015;16: e97–e109.

Artikujt të ngjashëm

Pyetjet më të shpeshta

Informacione të ndryshme rreth faqes Breast Care Connect.

Platforma ofron materiale edukative dhe burime të verifikuara mbi parandalimin, diagnostikimin dhe trajtimin e kancerit të gjirit. Përfshin artikuj, udhëzues të shkarkueshëm dhe drejtorinë e organizatave që ofrojnë mbështetje për pacientë dhe kujdestarë.

Po. Pjesa më e madhe e përmbajtjes është e hapur për të gjithë përdoruesit. Vetëm disa funksione shtesë, si ruajtja e artikujve të preferuar ose qasja në burime të personalizuara, mund të kërkojnë regjistrim.

Çdo artikull përgatitet në bashkëpunim me profesionistë shëndetësorë dhe kontrollohet nga një ekip redaktimi për saktësi shkencore, gjuhë të kuptueshme dhe përditësim periodik.

Përdoruesit mund të kontaktojnë ekipin përmes faqes Kontakti ose të dërgojnë materiale edukative për rishikim. Organizatat shëndetësore mund të kërkojnë përfshirje në direktorinë e burimeve përmes formularit të bashkëpunimit.