Parandalimi​

Shiko artikujt ->

Diagnostikimi

Shiko artikujt ->

Trajtimi

Shiko artikujt ->

Të jetuarit me kancer

Shiko artikujt ->

Për kujdestarët

Shiko artikujt ->

ANALIZAT E GJAKUT NË KANCERIN E GJIRIT: SI T’I KUPTOJMË?

* Ky material ka qëllim të ofrojë informacion dhe edukim për pacientët. Opinione dhe shpjegime reflektojnë perspektivën e specialistit që e ka përgatitur. Ky material nuk zëvendëson këshillën mjekësore individuale. Pacientët duhet të flasin gjithmonë me mjekun ose profesionistin e tyre shëndetësor për vendimet mbi diagnostikimin dhe trajtimin.

Marrja e lajmit për diagnozën e kancerit të gjirit dhe fillimi i trajtimit shoqërohet shpesh me ndjenja shqetësimi dhe pasigurie. Një nga shqetësimet më të zakonshme është kuptimi i ndikimit të sëmundjes dhe i trajtimit në gjak dhe elementet e tij kryesore. Analizat e gjakut nuk mund të tregojnë në mënyrë direkte praninë ose mungesën e kancerit, por ato ofrojnë informacion thelbësor mbi shëndetin e përgjithshëm të pacientit. Kjo është e rëndësishme për të vlerësuar nëse organizmi është i mjaftueshëm për t’iu nënshtruar ndërhyrjeve kirurgjikale, kimioterapisë apo trajtimeve të tjera specifike.

Formula e gjakut, ose hemograma, është një test laboratorik relativisht i thjeshtë, por shumë i rëndësishëm. Ai mat sasitë dhe përbërjen e qelizave kryesore të gjakut, të cilat janë të domosdoshme për funksionimin normal të trupit dhe për mbrojtjen ndaj sëmundjeve. Hemograma përfshin leukocitet, eritrocitet, trombocitet dhe shpesh edhe matjen e eritrosedimentit.

  • Leukocitet – Rruazat e bardha te gjakut (WBC) – janë pjesë e sistemit imunitar dhe luajnë një rol kyç në mbrojtjen e organizmit nga infeksionet dhe substancat e huaja. Vlera normale e leukociteve është midis 4000 dhe 10.500/mm³. Ulja e numrit të tyre tregon një rrezik më të lartë për infeksione dhe është një tregues i rëndësishëm gjatë trajtimeve onkologjike, pasi kimioterapia mund të ndikojë në prodhimin e këtyre qelizave në palcën e kockave. Palca e kockave prodhon disa lloje të leukociteve, por neutrofilet janë veçanërisht të rëndësishme për luftimin e infeksioneve bakteriale dhe mykotike. Kur numri i neutrofileve bie, pacienti zhvillon neutropeni, gjendje që e bën më të ndjeshëm ndaj infeksioneve, madje edhe atyre më të thjeshta, dhe kërkon monitorim të kujdesshëm gjatë trajtimit.
  • Eritrocitet – Rruazat e kuqe te gjakut (RBC) – janë përgjegjëse për transportin e oksigjenit nga mushkëritë në të gjithë trupin. Ato përmbajnë hemoglobinë, një proteinë e pasur me hekur, e cila kap oksigjenin dhe e shpërndan tek organet dhe indet. Oksigjeni është thelbësor për funksionimin normal të të gjitha organeve, dhe ulja e numrit të eritrociteve ose e vlerës së hemoglobinës shkakton anemi. Vlerat normale të eritrociteve ndryshojnë sipas gjinisë, duke qenë 4.000.000–5.600.000/mm³ për femrat dhe 4.400.000–6.000.000/mm³ për meshkujt, ndërsa hemoglobina varion 12.1–15.9 g/dL për femrat dhe 13–17 g/dL për meshkujt. Një nivel i ulët i eritrociteve ose i hemoglobinës mund të shoqërohet me lodhje, marramendje, dobësi dhe rritje të rrezikut për komplikacione gjatë trajtimit.
  • Trombocitet – Pllakëzat e gjakut (PLT), janë qelizat që ndihmojnë në mpiksjen e gjakut. Numri i tyre normal varion nga 150.000 në 450.000/mm³. Ulja e trombociteve rrit rrezikun për gjakderdhje, madje edhe për lëndime të vogla, dhe mund të kërkojë masa mbrojtëse si shmangien e objekteve të mprehta, përdorimin e furçave të buta për dhëmbët dhe monitorimin e vazhdueshëm nga mjeku. Ndryshimet e trombociteve mund të jenë të përkohshme dhe shpesh normalizohen pas përfundimit të trajtimit, por nivele shumë të ulëta mund të kërkojnë transfuzion trombocitar.
  • Eritrosedimenti (ERS) është një test laboratorik që mat shpejtësinë me të cilën rruazat e kuqe të gjakut zbriten në një tub testimi. Ky test nuk është specifik për një sëmundje të veçantë, por sinjalizon praninë e një procesi inflamator në organizëm, që mund të shkaktohet nga infeksione, inflamacion sistemik, sëmundje autoimune ose disa lloje kanceri, përfshirë kancerin e gjirit.

Në pacientët me kancer, rritja e ERS mund të pasqyrojë inflamacionin që shoqëron tumorin, reagimin e trupit ndaj trajtimit ose prani të komplikacioneve. Ky test nuk identifikon vendndodhjen e inflamacionit, por përdoret për të monitoruar aktivitetin e tij, për të vlerësuar efektivitetin e trajtimit dhe për të zbuluar komplikacione të mundshme. Vlerat normale të ERS ndryshojnë sipas moshës dhe gjinise: për meshkujt ≤ 15 mm/h, për femrat ≤ 20 mm/h dhe për fëmijët ≤ 10 mm/h.

Cilat janë analizat që duhen bërë përpara çdo cikli mjekimi?

Para fillimit të çdo cikli trajtimi onkologjik, kryerja e analizave të gjakut dhe testeve të tjera laboratorike është thelbësore për të siguruar që organizmi i pacientit është në gjendje të përballojë ndërhyrjet kirurgjikale, kimioterapinë ose trajtime të tjera. Këto analiza ofrojnë një pasqyrë të detajuar të funksionimit të palcës së kockave, të aftësisë imunitare, transportit të oksigjenit dhe mekanizmave të mpiksjes së gjakut, duke ndihmuar mjekun të përcaktojë nëse pacienti është gati për ciklin e ardhshëm të trajtimit.

Hemograma komplet (WBC, RBC, Hgb, PLT, ERS) është testi kryesor që ofron informacion mbi gjendjen e qelizave të gjakut. Leukocitet tregojnë fuqinë e mbrojtjes imunitare dhe aftësinë e trupit për të luftuar infeksionet. Eritrocitet dhe hemoglobina tregojnë transportin e oksigjenit në indet e trupit, gjë thelbësore për funksionimin e organeve. Trombocitet tregojnë aftësinë e trupit për të mpiksur gjakun dhe për të parandaluar gjakderdhjet. Eritrosedimenti (ERS) mat nivelin e inflamacionit në trup dhe mund të sinjalizojë përgjigjen e organizmit ndaj tumorit ose trajtimit.

Një hemogramë me vlera normale tregon se palca e kockave funksionon siç duhet, prodhon qeliza të shëndetshme dhe pacienti ka një mbrojtje imunitare të mjaftueshme, transport normal të oksigjenit dhe aftësi për mpiksje të gjakut. Nëse analiza tregon nivele të ulëta të leukociteve, eritrociteve ose trombociteve, mjeku mund të vendosë të shtyjë fillimin e trajtimit ose të ndërmarrë masa për të përmirësuar gjendjen e pacientit, si transfuzione gjaku, medikamente që stimulojnë prodhimin e qelizave të bardha ose masa të tjera mbështetëse.

Testet e funksionit të mëlçisë (AST, ALT, GGT, bilirubina) dhe testet e funksionit të veshkave (urea, kreatinina) janë po ashtu të domosdoshme. Barnat e kimioterapisë metabolizohen në mëlçi dhe eliminohen nga veshkat, prandaj këto organe duhet të funksionojnë normalisht për të minimizuar rrezikun e efekteve anësore. Nëse këto teste tregojnë probleme, mjeku mund të modifikojë dozat, të shtyjë trajtimin ose të aplikojë masa mbrojtëse për të ruajtur funksionin e organeve.

Elektrolitet, si kaliumi dhe natriumi, kontrollohen për të siguruar ekuilibrin e trupit dhe për të shmangur komplikacione gjatë trajtimit, si probleme me ritmin e zemrës ose funksionin nervor. Përveç sigurisë, këto analiza ndihmojnë në vlerësimin e përhapjes së sëmundjes, veçanërisht në palcën e kockave, ku prodhohen qelizat e gjakut. Ndikimi i tumorit në këtë zonë mund të tregojë një formë më të avancuar të kancerit dhe kërkon planifikim të kujdesshëm të trajtimit.

Kryerja sistematike e këtyre analizave para çdo cikli të mjekimit siguron që trajtimi të jetë i sigurt dhe efektiv, duke lejuar mjekun të ndërhyjë në rast të ndonjë anomalie dhe të përshtatë trajtimin sipas gjendjes së pacientit. Kjo qasje ndihmon gjithashtu në uljen e komplikacioneve dhe përmirësimin e përgjigjes ndaj trajtimit, duke rritur shanset për rezultate pozitive.

Përse ndryshojnë analizat e gjakut gjatë terapisë onkologjike?

Gjatë trajtimit onkologjik, analiza e gjakut monitorohet rregullisht për të vlerësuar reagimin e trupit ndaj kimioterapisë dhe për të parandaluar komplikacione të mundshme. Terapitë si kimioterapia dhe radioterapia veprojnë duke ndaluar ndarjen e shpejtë të qelizave, duke shkatërruar qelizat kancerogjene, por njëkohësisht prek edhe qelizat normale që rriten shpejt, kryesisht ato të palcës së kockës.

Palca e kockave, e cila është përgjegjëse për prodhimin e rruazave të kuqe, të bardha dhe trombociteve, mund të ngadalësohet përkohësisht. Kjo mund të çojë në prodhimin e një numri më të ulët të qelizave gjakut dhe ndryshime në madhësinë ose pamjen e tyre. Në këtë fazë, nuk është e pazakontë që qelizat të duken më të reja ose pak të anormale, gjë që tregon se palca po reagojnë dhe po rikuperohet.

Ndikimi më i madh i kimioterapisë është te leukocitet, veçanërisht neutrofilet. Kur numri i tyre bie ndjeshëm, organizmi humb aftësinë për të luftuar infeksionet dhe pacienti bëhet më i ndjeshëm ndaj infeksioneve, madje edhe atyre më të lehta. Në raste të tilla, fillimi i ciklit të ri të trajtimit mund të shtyhet ose mund të përdoren medikamente që stimulojnë prodhimin e neutrofileve.

Kimioterapia mund të ulë gjithashtu numrin e eritrociteve dhe të hemoglobinës, duke shkaktuar anemi. Kjo mund të shoqërohet me lodhje, dobësi, marramendje ose vështirësi në frymëmarrje. Në raste të rënda, transfuzioni i gjakut mund të jetë i nevojshëm për të përmirësuar gjendjen e pacientit.

Ndikimi te trombocitet mund të shkaktojë shfaqjen e njollave të kuqe ose mavijosjeve në lëkurë dhe mukoza. Nëse numri i trombociteve bie ndjeshëm, mund të jetë i nevojshëm transfuzion trombocitar, ndërsa pacienti këshillohet të përdorë masa mbrojtëse për të shmangur gjakderdhjet.

ERS dhe CRP mund të rriten gjatë trajtimit, duke reflektuar inflamacionin që shoqëron tumorin, reagimin ndaj kimioterapisë ose ndonjë komplikacion tjetër. Rritjet e lehta janë normale dhe monitorohen nga mjeku, ndërsa rritje të konsiderueshme mund të kërkojnë ekzaminime të mëtejshme. Ndryshimet e lehta në enzimat e mëlçisë gjithashtu mund të jenë të përkohshme dhe pa simptoma, por mjeku i monitoron për të shmangur komplikacione.

Kur duhet të shqetësohet pacientja dhe kur janë ndryshime të pritshme të trajtimit?

Gjatë trajtimit onkologjik, është normale që analizat e gjakut të ndryshojnë përkohësisht. Këto ndryshime janë pjesë e përgjigjes së trupit ndaj trajtimit dhe nuk tregojnë domosdoshmërisht përkeqësim të sëmundjes. Ndryshimet e pritshme përfshijnë ulje të lehta të leukociteve, eritrociteve ose trombociteve, si dhe rritje të moderuar të eritrosedimentit (ERS), proteinës C reaktive (CRP) ose të enzimave të mëlçisë. Këto variacione zakonisht stabilizohen para ciklit të ardhshëm të kimioterapisë dhe janë një shenjë që palca e kockave po reagon dhe po rikuperohet.

Leukocitet: Uljet e vogla të leukociteve janë të zakonshme dhe zakonisht nuk shkaktojnë simptoma. Këto ulje ndodhin sepse kimioterapia ndikon në prodhimin e qelizave të bardha të gjakut në palcën e kockave. Megjithatë, nëse numri i leukociteve bie ndjeshëm, veçanërisht neutrofileve, pacienti mund të zhvillojë neutropeni, e cila e bën organizmin më të ndjeshëm ndaj infeksioneve. Shenja që tregojnë rrezik për infeksion janë temperatura e lartë (≥ 38°C), dridhjet, ethet ose simptoma të tjera të infeksionit si kollë, dhimbje fyti ose djersitje e tepërt. Në këtë rast, është e domosdoshme të kontaktohet menjëherë mjeku.

Eritrocitet dhe hemoglobina: Uljet e moderuara të rruazave të kuqe ose të hemoglobinës mund të shkaktojnë lodhje, dobësi, marramendje ose vështirësi në frymëmarrje gjatë aktivitetit fizik. Këto janë të zakonshme dhe monitorohen nga mjeku. Në raste të rënda, kur hemoglobina bie ndjeshëm, mund të jetë i nevojshëm transfuzioni i gjakut. Pacientja duhet të raportojë çdo lodhje të pazakontë, marramendje të shpeshta, ngërç ose dobësi të papritur.

Trombocitet: Uljet e trombociteve mund të shkaktojnë mavijosje të lehta, gjakderdhje nga hunda ose mishrat e dhëmbëve, ose njolla të kuqe të vogla në lëkurë. Nëse numri i trombociteve bie shumë, rreziku për gjakderdhje të rënda rritet. Pacientja duhet të tregojë kujdes me aktivitetet fizike dhe përdorimin e objekteve të mprehta, si dhe të përdorë furça dhëmbësh të buta. Ndërhyrja mjekësore mund të përfshijë transfuzion me trombocite ose modifikim të trajtimit.

ERS dhe CRP: Rritjet e moderuara të eritrosedimentit ose proteinës C reaktive zakonisht tregojnë inflamacion të lehtë si pasojë e reagimit ndaj trajtimit ose inflamacionit të tumorit dhe nuk janë alarmante. Ndërsa rritjet e mëdha, të vazhdueshme ose të shoqëruara me simptoma të tjera mund të tregojnë infeksion ose komplikacione dhe kërkojnë vlerësim të menjëhershëm.

Enzimat e mëlçisë: Ndryshimet e lehta të enzimave hepatike janë të zakonshme gjatë kimioterapisë dhe zakonisht nuk shoqërohen me simptoma. Megjithatë, rritje të konsiderueshme mund të tregojë stres ose dëmtim të mëlçisë, veçanërisht nëse shoqërohet me zverdhje të lëkurës, të syve, urinë të errët ose dhimbje barku.

Simptoma që kërkojnë vëmendje të menjëhershme: Pacientja duhet të kontaktojë menjëherë mjekun nëse shfaqen temperaturë ≥ 38°C, lodhje ekstreme, marramendje e fortë, vështirësi të theksuara në frymëmarrje, gjakderdhje të vazhdueshme nga hunda, mishrat e dhëmbëve, urina e kuqe, jashtëqitje e zezë ose të pazakontë, dhimbje barku të forta ose ndryshime të papritura dhe të konsiderueshme në analizat e gjakut. Këto shenja mund të tregojnë neutropeni të rëndë, anemi të rëndë, trombocitopeni ose probleme serioze me mëlçinë dhe kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme.

Informimi i pacientit mbi ndryshimet e pritshme dhe sinjalet alarmuese të analizave të gjakut ndihmon në uljen e ankthit, rrit sigurinë dhe mundëson ndërhyrje të shpejta kur është e nevojshme, si dhe monitorim të kujdesshëm nga ekipi mjekësor. Njohja e këtyre parametrave ndihmon pacienten të kuptojë që disa ndryshime janë normale dhe të menaxhojë trajtimin me më shumë siguri dhe besim.

Rëndësia e bashkëpunimit me ekipin mjekësor dhe kujdesi për shëndetin e gjakut

Pacientja mund të ndihmojë në mbajtjen e shëndetit të gjakut duke ndjekur me përpikëri udhëzimet e mjekut, duke respektuar oraret e trajtimit dhe duke informuar menjëherë për çdo simptomë të pazakontë. Ushqimi i shëndetshëm, hidrimi i mjaftueshëm dhe aktiviteti fizik i moderuar kontribuojnë në forcimin e sistemit imunitar dhe në prodhimin normal të qelizave të gjakut. Mjeku mund të rekomandojë suplementet ose medikamentet që stimulojnë prodhimin e qelizave të gjakut, si dhe transfuzione në rast të nevojës. Bashkëpunimi i ngushtë me infermierët, farmacistët dhe specialistët hematologë ndihmon në identifikimin e hershëm të problemeve, marrjen e masave parandaluese dhe sigurimin e një trajtimi sa më të sigurt dhe efektiv.

Referenca

  1. American Cancer Society. Understanding Your Blood Tests. Atlanta: American Cancer Society; 2021.
  2. National Cancer Institute. Chemotherapy and Your Blood Counts. Bethesda: NCI; 2022.
  3. European Society for Medical Oncology (ESMO). Breast Cancer: Diagnosis and Treatment Guidelines. Lugano: ESMO; 2023.
  4. Klastersky J, de Naurois J, et al. Management of febrile neutropenia in cancer patients: ESMO Guidelines. Ann Oncol. 2022;33(9):1002–1016.
  5. Hoffbrand AV, Moss PAH. Essential Haematology. 8th ed. Hoboken: Wiley-Blackwell; 2019.
  6. Rossi G, et al. Hematologic changes during chemotherapy in breast cancer patients. J Clin Oncol. 2020;38(21):2432–2443.
  7. Lyman GH, et al. Impact of chemotherapy on blood counts. Lancet Oncol. 2021;22(8):1057–1069.

Artikujt të ngjashëm

Pyetjet më të shpeshta

Informacione të ndryshme rreth faqes Breast Care Connect.

Platforma ofron materiale edukative dhe burime të verifikuara mbi parandalimin, diagnostikimin dhe trajtimin e kancerit të gjirit. Përfshin artikuj, udhëzues të shkarkueshëm dhe drejtorinë e organizatave që ofrojnë mbështetje për pacientë dhe kujdestarë.

Po. Pjesa më e madhe e përmbajtjes është e hapur për të gjithë përdoruesit. Vetëm disa funksione shtesë, si ruajtja e artikujve të preferuar ose qasja në burime të personalizuara, mund të kërkojnë regjistrim.

Çdo artikull përgatitet në bashkëpunim me profesionistë shëndetësorë dhe kontrollohet nga një ekip redaktimi për saktësi shkencore, gjuhë të kuptueshme dhe përditësim periodik.

Përdoruesit mund të kontaktojnë ekipin përmes faqes Kontakti ose të dërgojnë materiale edukative për rishikim. Organizatat shëndetësore mund të kërkojnë përfshirje në direktorinë e burimeve përmes formularit të bashkëpunimit.